Barça bën plane për Cristiano Ronaldon
Barcelona ka planifikuar transferimin e anësorit të Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo, nëse pranon një mega-ofertë për Ronaldinhon gjatë verës së ardhshme, ka bërë të ditur sportivja Sport.
E përditshmja spanjolle beson se klubi ka bërë plane rezervë, në rast se ata do të jenë të detyruar ta lejojnë brazilianin të largohet te Chelsea ose Milani, klube këto që vazhdimisht po i ngritin ofertat e tyre.
Siç qëndrojnë gjërat tash, Ronaldinho ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2010 dhe një çmim prej 125 milionë euro, por Barca mund të detyrohet ta shesë edhe nëse arrin një ofertë deri në 40 milionë euro.
Për shkak të shumë interesimeve për brazilianin, gazeta Sport beson se, udhëheqja e klubit, po përgatitet për një situatë të tillë, ku braziliani mund të largohet, dhe dëshiron që atë ta zëvendësojë me lojtarë tjetër të klasit botëror.
Ronaldo është një lojtar i tillë dhe Barca besohet të mos ketë probleme financiare për të arritur deri tek portugezi.
|
Ronaldinho ka dëshirë, por nuk mundet
Dëshira e Frank Rijkaardit që në "El Clasico" të luante me emrat më të mëdhenj, ka ngarkuar peshë të madhe në shpinën e Barcelonës, shkruan sot revista sportive spanjolle AS.
Edhe mediat tjera spanjolle i janë bashkuar mendimit se, trajneri i Barcelonës e ka humbur derbin nga Reali (0:1 në Nou Camp), për shkak të përzgjedhjes së gabueshme të taktikës dhe përbërjes së ekipit.
"Reali ka fituar për shkak të taktikës më të mirë dhe përgatitjes fizike, e jo sepse ka lojtarë më të mirë", shkruan revista Sport, e afërt me Barcelonën.
"Ky është Ronaldinho 2007. Ai ka dëshirë, por nuk mundet, provon të gjitha, por asgjë nuk ndodh", shton Sport.
El Pais, në anën tjetër, çuditet se si Deco, i cili sapo është kthyer pas lëndimit, ka hasur në përparësi në ekip ndaj Eidur Gudjohnsenit, edhe pse islandezi ka shfaqur disa lojëra mbresëlënëse.
Në ndërkohë, ikona e Realit, portieri Iker Casillas, për fitoren e Realit meritën më të madhe ia ka lënë trajnerit gjerman, Bernd Schuster.
"Çelësi i fitores sonë ka qenë mbulimi i shkëlqyeshëm i terrenit gjatë tërë ndeshjes. Kemi bërë një punë fenomenale në trajnime dhe në përgatitjet për këtë takim, dhe ngadalë, por edhe çdo ditë e më shumë, po e pranojmë lojën të cilën nga ne po e kërkon Schuster. Mund të them se që të gjithë po kënaqemi në këtë lloj loje", thotë Casillas.
|